Arbëri

“Viti 2016, më i suksesshmi deri më tash në Gjilan”

Kuvendi Komunal i Gjilanit, të enjten, në seancën e tretë për këtë vit, të kryesuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar raportin financiar për periudhën janar-dhjetor 2016 , njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.

Pozita dhe opozita kanë mbajtur qëndrime të ndryshme rreth këtyre pikave, pos te fjalësi i emrave dhe subvencionet për teatër, ku ata i kanë bashkuar votat.

Zijadin Maliqi, drejtor financiar, ka thënë se Komuna e Gjilanit ka realizuar një buxhet prej 22.954.774 euro, ose mbi 1.6 milion më tepër se buxheti fillestar i planifikuar. Shpenzimet janë realizuar 95 për qind. Sa i përket të hyrave vetanake, që arrijnë në mbi 4.2 milionë, Maliqi ka thënë se ky është viti më i suksesshëm prej pas luftës e këndej.

Raporti financiar është mbështetur nga subjektet e koalicionit. Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se raporti është real, sqarues dhe gjithëpërfshirës, sikurse edhe Selami Xhemajli (AAK), i cili ka thënë se një raport i këtillë financiar meriton të përshëndetet dhe përkrahet, veçmas për arsye të të hyrave vetanake, që asnjëherë tjetër nuk kanë qenë më të larta.