Arbëri

U vazhdohen bursat 78 studentëve nga Mitrovica

Janë 78 studentë nga komuna e Mitrovicës që u është vazhduar kontrata për bursa për vitin akademik 2017/2018.

Me këtë rast, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, tha se të rinjtë duhet të fokusohen në studime, meqë është mënyra më e mirë që hap rrugë për punësim.

“Duke pasur parasysh rezultatet e mira në mësime, ju inkurajoj që të punoni dhe të studioni sa më shumë për një të ardhme më të mirë për vete dhe për shoqërinë”, ka thënë Bahtiri.

Komuna e Mitrovicës do të paguajë bursën për studentët për vitin akademik 2017/2018 duke filluar nga 01.10.2017 deri 30.06.2018, në shumën prej shtatëdhjetë euro.

Pas nënshkrimit të kontratës, studentët janë shprehur të jenë të kënaqur me ndarjen e këtyre bursave. Disa nga ata janë shprehur të jenë mirënjohës për mbështetjen që komuna po iu ofron, si një motiv shtesë për të vazhduar studimet dhe një lehtësim financiar për familjet e tyre, thuhet në njoftim të komunës së Mitrovicës.

Në njoftim thuhet po ashtu se “përveç këtyre bursave, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, vazhdon të ndajë bursa edhe nga paga e tij për studentë të dalluar nga fakultete të ndryshme”.