Arbëri

Lladrovci propozon ndalimin e xhinseve për mësimdhënësit e Drenasit

Mësimdhënësit e Drenasit do të mund të veshin xhinse në institucionet arsimore dhe të bartin mjekra vetëm edhe gjatë ditës së mërkurë.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka propozuar kodin e veshjes dhe të pamjes, ku ndalohen shumë veshje për mësimdhënës, shkruan sot “Koha Ditore”. Nëpërmjet një propozim-rregulloreje për organizimin e punës në institucionet edukativo-arsimore në Komunën e Drenasit (që pritet të miratohet në seancën e sotme të Kuvendit Komunal), pos tjerash janë ndaluar edhe xhinset për mësimdhënës.

Në nenin 33, ku flet për detyrat dhe përgjegjësitë e mësimdhënësit, pika 6, kërkohet nga këta të fundit që të respektojnë kodin e veshjes dhe pamjes konform kodit të mirësjelljes (ku ndalohen xhinset, fundi mbi gju, bluza e zbuluar, grillona, pantallonat e shkurtër tek meshkujt, mjekra të lëshuara dhe veshjet me karakter fetar.

Në këtë Propozim-rregullore, që ka dalë nga zyra e kryetarit Lladrovci, janë përcaktuar edhe shumë detyra, përgjegjësi e ndalesa për mësimdhënës dhe nxënës. Por kodi i veshjes i përcaktuar për mësimdhënës nuk vlen edhe për nxënës. Për ekspertin e arsimit, Dukagjin Pupovci, ndalimi i xhinseve dhe i mjekrës duket veprim i tepruar, edhe pse, ai thotë se punëdhënësi ka të drejtën të përcaktojë kod të veshjes.

“Së voni Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur se punëdhënësit kanë të drejtë të përcaktojnë kod të veshjes dhe kjo vlen dhe për Kosovën. Tani është gjithnjë e debatueshme se sa larg duhet të shkohet me ndalesa. Për kontekstin tonë ndalimi i xhinseve dhe i mjekrës po më duket veprim paksa i tepruar, ndërkaq pika që shkakton më së shumti dilema është ‘ndalimi i bartjes së veshjeve me karakter fetar”, ka thënë Dukagjin Pupovci.

Në këtë rast, sipas tij, krijohet hapësirë për të interpretuar se çfarë konsiderohet veshje fetare e çfarë jo... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.