Arbëri

“Alternativa” krijon Këshillin nismëtar të Pejës

Descriptive Text

Subjekti i ri politik “Alternativa” ka lëshuar rrënjët e veta edhe në qytetin e Pejës, ku të hënën mbrëma u formua Këshilli nismëtar prej 44 anëtarëve për themelimin e degës së këtij subjekti në Pejë.

Në ceremoninë e formimit të këtij këshilli, përveç dy themeluesve të “Alternativës”, Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Dedaj, të pranishëm ishin si mysafirë edhe kryetari i Komunës së Pejës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri, kryetari i Degës së AAK-së në Pejë, Fatmir Gashi, dhe kryetari i Partisë së Drejtësisë, Myhedin Sylqa, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mimoza Kusari-Lila tha se “Alternativa” do të ofrojë gjithmonë zgjidhje dhe mundësi të reja, duke pasur gjithnjë komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. “Alternativa është e të drejtave të barabarta, është parti e njerëzve liberalë-demokratë, të cilët e shohin ngritjen nga baza. Nuk punojmë me programin e dikujt tjetër dhe në Kosovë ka alternativë. Do të jemi krah dhe në atë rrugëtim do t’u japim shpresë gjithë atyre që e kanë humbur shpresën e Kosovës”, tha nismëtarja e “Alternativës” dhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila. Kurse bashkëthemeluesi tjetër i “Alternativës”, Ilir Deda, u shpreh se “Kam besimin se me ‘Alternativën’ do ta bëjmë ndryshimin në Pejë”.

Kryesuesi i Këshillit nismëtar të “Alternativës” në Pejë u zgjodh Reshat Nurboja, i cili pritet të jetë edhe kryetar i degës, kur të zyrtarizohet themelimi i saj, si dhe kandidat i “Alternativës” për kryetar të Komunës së Pejës në zgjedhjet e sivjetme lokale. “Jemi themeluar që të ndryshojmë gjenden në Pejë dhe si subjekt do të marrim pjesë sivjet në zgjedhjet lokale”, tha Nurboja. Nurboja ka qenë i burgosur politik dhe mbijetues i masakrës në Burgun e Dubravës në vitin 1999... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.