Ekzekutivi kërkon hetim për shpërndarjen e materialit ndërtimor për nevojtarët

Ekzekutivi kërkon hetim për shpërndarjen e materialit ndërtimor për nevojtarët

18 shkurt 2017 14:28

Qeveria lokale e Prizrenit në mbledhjen e saj të fundit ka miratuar vendimin për shpalljen e tenderit për furnizim me material ndërtimor për raste emergjente, gjë që është bërë shkas edhe për shqyrtimin e dyshimeve të ngritura për rregullsinë e shpërndarjes së këtyre ndihmave për përfituesit. Ndaj kërkon hetim lidhur me problematikën, shkruan sot Koha Ditore.

Propozimi për realizimin e kësaj politike publike edhe sivjet ka ardhur nga Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila ka sqaruar se nga ky projekt, do të bëhet furnizimi me material ndërtimor për raste emergjente, duke përfshirë rastet e djegieve të shtëpive, fatkeqësive natyrore, rasteve të rënda sociale, etj. Në propozimvendim është sqaruar se planifikimi buxhetor për këtë projekt është 40 mijë euro. Por ka qenë kryetari i komunës, Ramadan Muja, ai që ka kërkuar sqarime nga vartësit e tij, nëse ekziston mundësia për manipulime me këto ndihma. “A mund të ndodhë që përfituesi, të cilit i takojnë materiale në vlerë prej 5 mijë eurosh të marrë më pak se 5 mijë nga furnizuesi?”, ka pyetur Muja, shefin e Zyrës së prokurimit, Isa Osmankaj. Ky i fundit ka bërë të ditur se aplikohen disa mekanizma kontrolli, që një gjë e tillë të mos ndodhë. “DPMS-ja lëshon një listë, ku janë të përshkruara materialet dhe çmimet. Me atë fletë, përfituesi shkon te furnizuesi dhe e tërheq materialin , me ç’rast edhe nënshkruan se çka ka marrë dhe në çfarë vlere. Pastaj ky vërtetim i nënshkruar shkon në drejtori. Mënyra se si mund të merret vlera më e ulët është nëse përfituesi hyn në aranzhime me furnizuesin, përkatësisht nëse në vend të materialit kërkon para, e pastaj aty zbatohet ndryshimi. Por assesi përfituesi nuk duhet të nënshkruajë deklaratën e pranimit të materialit nëse nuk e merr sasinë dhe vlerën e duhur”, ka thënë Osmankaj.

Muja ka sqaruar se këtë pyetje e ka shtruar meqë kohët e fundit është ngritur një dyshim se përfituesit nuk e marrin materialin në vlerën që ndahet nga komuna.

(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme