Arbëri

Ministri Beqaj konsideron se Kosova ka potencial njerëzor kreativ

Në kuadër të aktiviteteve për promovimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë dhe nxitjen e të rinjve në shërbim të avancimit të kësaj fushe të ekonomisë, ministri për Inovacione e Ndërmarrësi, Besim Beqaj ka vizituar sot Qendrën e Inovacionit CEDx në Pejë. Gjatë vizitës pa ambientet e CEDx-it dhe ka parë nga afër punën e të rinjve në këtë qendër, si dhe ka bashkëbiseduar me udhëheqësit e saj.

Ministri Beqaj është shprehur i mahnitu me kreativitetin e të rinjve të Qendrës CEDx, duke çmuar resurset njerëzore të Kosovës dhe mundësitë që ka vendi me potencialin e njerëzor që ka, për ta kthyer ekonominë e Kosovës në një shoqëri të re ku do të mundësohen automatizimi i çdo pune të mundshme.

“Me resurset më të çmuara të vendit tonë, sot në Qendrën për Inovacion CEDx, diskutuam si mund të kthejmë ekonominë e Kosovës në një shoqëri të re me robotët, për të mundësuar automatizimin e çdo pune të mundshme me qëllim të thjeshtimit dhe rritjes së efikasitetit në punë”, tha ministri Beqaj.

Ministri Beqaj ka thënë, po ashtu, se Kosova ka potencial njerëzor super kreativ që mundëson rritjen e ekonomisë digjitale të bazuar në dije dhe në rritjen e eksportit të shërbimeve.