Arbëri

AKP-ja mbyll në Lipjan lokalet me konteste pronësore

Lipjan, 22 mars - Agjencia Kosovare e Privatizimit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka nisur një aksion për mbylljen e disa lokaleve në qendër të Lipjanit ende pa përfunduar kontestet pronësore midis pronarëve të bizneseve dhe AKP-së.

Sipas përfaqësuesve të bizneseve, AKP-ja ka marrë hapa të shpejtë e të pabazuar në ligj për mbylljen e lokaleve derisa gjykatat ende nuk kanë marrë ndonjë vendim për lirimin e lokaleve. Madje ky institucion ka mbyllur lokale tilla, të cilat janë blerë disa vjet më parë nëpërmjet procedurave të rregullta, e të cilat ndërkohë kanë përfunduar si konteste pronësore në gjykatë, transmeton koha.net.

Nga ana tjetër, Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në përgjigjet e tij ka thënë se zyrtarët e AKP-së kanë zhvilluar një aksion në Lipjan, i cili ka rezultuar me mbylljen e një lokali, si një ndër rastet më të veçanta të cilat kanë ndodhur deri tashti.

Sipas tij, zyrtarët e AKP-së e kanë liruar lokalin “Urata” shitorja nr. 10 në Lipjan, i cili është shitur nëpërmjet shitjes së aseteve me likuidim, nr 6. AKP-ja ka vazhduar procedurat e veta, sepse gjykata mund t’i vonojë kontestet me vite të tëra, ndërkohë që sërish vendimi i gjykatës merret për bazë, por në këtë rast gjykata do t’ia hedhë poshtë ankesën e këtij pronari, sepse nuk u është përmbajtur afateve ligjore”, ka thënë Kaloshi (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).