Arbëri

Klina dhe Caritas Kosova me projekt për hapje të vendeve të reja të punës në shëndetësi

Komuna e Klinës dhe Caritas Kosova do të realizojnë një projekt të përbashkët për hapjen e vendeve të reja të punës në fushën e shëndetësisë që do të ndikojë në rritjen e shërbimeve shëndetësore për qytetarët dhe ofrimin e kujdesit shtëpiak.

Kjo është bërë e ditur në takimin që sot ka zhvilluar kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, me udhëheqësin e sektorit social dhe shëndetësor të Caritas Kosova, Pal Baftijaj.

Baftijaj ka njoftuar se kanë projektin në sektorin shëndetësor social që përfshin punësimin e 25 punëtorëve shëndetësorë, mjekë dhe infermierë, të cilët do të ofrojnë shërbime shtëpiake për rastet në regjim shtrati, gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe funksionalizimin e ambulancave shëndetësore në zonat rurale të cilët në mungesë të stafit janë të mbyllura.

Kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, e ka mirëpritur këtë projekt dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim.

“Jemi të gatshëm për bashkëpunim, ngase kemi nevojë të madhe për punësimin e kuadrove të reja. Ne do t’i bëjmë propozimet tona në mënyrë që projekti të nis sa më shpejt të jetë e mundur. Klina ka nevojë për një projekt të tillë, nevojë kanë edhe qytetarët. Vitin tjetër do të rrisim projektin dhe numrin e të punësuarve”, ka thënë Elezaj.

Projekti planifikohet të nis në muajin maj dhe të zgjas deri në fund të vitit me mundësi vazhdimi për rritjen e numrit të punësuarve. Për këtë do të kërkohet mbështetje edhe nga niveli qendror.