Arbëri

Ministria e Infrastrukturës ia pezullon projektet Komunës së Lipjanit, për të mos thelluar borxhin

Tri projekte rrugore për vitin 2018 i ka ndërprerë komuna e Lipjanit, pavarësisht se plani dhe mjetet ishin aprovuar në parlament.

Në fillim të vitit, kryetari i komunës, Imri Ahmeti, mori një shkresë nga Ministria e Infrastrukturës, ku i kërkohej të pezullonte të gjitha projektet infrastrukturore, të cilat kanë qenë pjesë e memorandumeve në mes të komunës dhe kësaj ministrie dhe të anuloheshin të gjithë tenderët e lidhur brenda vitit 2017, raporton KTV.

Sipas kësaj shkrese, qëllimi i këtij veprimi ishte menaxhimi i buxhetit në mënyrë racionale si dhe përmbyllja e të gjitha obligimeve kontraktuale.

Largimin nga lista të këtyre projekteve, kryetari Imri Ahmeti e vlerëson si padrejtësi ndaj shumë qytetarëve.

Ahmeti beson se këto mjete kanë shkuar krejt diku tjetër.

Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se ky vendim u mor për shkak të mungesës së buxhetit dhe për të evituar hyrjen në borxhe më të mëdha ndaj kompanive ndërtuese që ishin të kontraktuara.

Zëvendësministri Rexhep Kadriu e akuzon ish-ministrin Lutfi Zharku se pa e kompletuar dokumentacionin dhe në mungesë të projekteve, ka lejuar që të hapet konkurs për ndërtimin e rrugëve.

Por një gjë të tillë e ka mohuar ish ministri i Infrastrukturës Zharku i cili ka thënë se gjatë 2017 ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi për investime në infrastrukturën rrugore me 22 kryetarë komunash e jo vetëm me kryetar që vijnë nga radhët e LDK-së.

Kërkesë e njëjtë u është dërguar edhe komunave të tjera.

Megjithëkëtë, kjo ministri thotë se shumë shpejt me pothuajse të gjitha komunat do të rilidhin memorandume, në mënyrë që të lejohet nisja e punëve.