Arbëri

Për dy vjet në Komunën e Vushtrrisë janë riatdhesuar 2100 persona

Kushtet e vështira e kishin shtyrë familjen Kameri në vitin 2015, që ta braktisë Kosovën, për të shkuar në Gjermani.

Një vit e gjysmë kishte zgjatur qëndrimi i kësaj familjeje atje, pasi shteti gjerman i ktheu vitin e kaluar.

Ata u detyruan të kthehen në fshatin e tyre, në Vërnicë të Vushtrrisë, ku kishin një shtëpi pothuajse të shkatërruar.

Por një bashkëpunim mes organizatës Diakonie, ambasadës gjermane dhe Komunës së Vushtrrisë, në kuadër të programit për të riatdhesuarit, ka ndërtuar një shtëpi të re për familjen pesë-anëtarëshe.

Komuna thotë se është duke punuar vazhdimisht që të kthyerve t’u sigurohet mirëqenie.

Në Komunën e Vushtrrisë, brenda dy vjetëve të fundit, janë rikthyer rreth 2100 persona.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk i ka kthyer përgjigje televizionit në pyetjen se sa është numri i të rikthyerve në tërë Kosovën dhe si ka ecur programi i riatdhesimit deri tash.