Arbëri

500 mijë euro për rregullimin e shtratit të Lumëbardhit në Deçan

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka pritur sot në takim kryetarin e komunës se Deçanit, Bashkim Ramosaj, me të cilin biseduan për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Në takim Reshitaj duke cilësuar Deçanin si një vend turistik prezantoi projektet e Ministrisë që do të realizohen në bashkëpunim me komunën si: ndërtimi i kanalizimit në fshatin Irzniq në Lagjen “Mushkolaj” në vlerë prej 100 mijë euro, rregullimi i shtratit të Lumëbardhit në Deçan në vlerë prej 500 mijë eurosh, ndërtimi i ujësjellësit në Strellc të Deçanit, në vlerë prej 320 mijë eurosh”, thuhet në komunikatë.

Reshitaj përmendi edhe projektet që janë duke vazhduar si: Ndërtimi i kanalizimit në Deçan, në vlerë prej 60 mijë eurosh, rregullimi i hapësirës gjelbëruese te Verrat e Llukës, në vlerë prej 50 mijë eurosh si dhe ujësjellësi për 10 fshatra dhe kyçja në burime të reja në Deçan, ku për vitin 2018 janë ndarë 50 mijë euro.

Në fund të takimit palët u zotuan që bashkërisht do t’i eliminojnë deponitë ilegale të mbeturinave në këtë komunë si dhe shndërrimin e tyre në zona të gjelbra.