Arbëri

Komuna e Deçanit s’ka zgjidhje për psikologë e pedagogë shkollash

Deçan, 15 mars – Që nga paslufta shkollat e Deçanit s’kanë pasur psikologë, e gjithashtu edhe ky vit shkollor në 18 shkolla fillore dhe në dy të mesme, sa ka kjo komunë, do të përfundojë pa angazhimin e së paku një psikologu. Duke e konsideruar hendikep në evitimin e rasteve të fëmijëve që shfaqin veprime delikuente, mungesa e psikologëve nëpër shkolla është ngritur si çështje disa herë edhe në Kuvendin Komunal të Deçanit, por nuk ka gjetur zgjidhje.

Mungesën e psikologëve nëpër shkolla, në Drejtorinë e Arsimit në Deçan e arsyetojnë me mungesë të mjeteve financiare, duke i ndërlidhur ato më rënien e numrit të nxënësve. “Komuna e Deçanit, sikur edhe 10 komuna të tjera, kanë pasur zvogëlim drastik të numrit të nxënësve.

Kurse, formula e financimit që aplikohet sot nga ministria, ndahet buxheti dhe grandi specifik për kokë të nxënësit. Prej që unë e udhëheq arsimin në këtë komunë, sot janë 2 mijë e 800 nxënës më pak se para tetë vjetëve kur e kam marrë drejtimin e Arsimit në Deçan. Sivjet i kemi rreth 6 mijë nxënës, kurse menjëherë pas luftës ishin 12 mijë nxënës”, thotë drejtori i Arsimit, Qazim Maloku, i cili qe tetë vjet drejton Arsimin në këtë komunë dhe do ta drejtojë edhe në mandatin e ri. Sipas tij, në këtë komunë ka shkolla me numër të vogël të nxënësve, të cilat nuk e mbajnë as vetveten (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).