Kadriu: Rrëshqitjet e dheut si pasojë e mosinvestimit për 17 vjet

Kadriu: Rrëshqitjet e dheut si pasojë e mosinvestimit për 17 vjet

06 mars 2018 13:24

Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka vizituar sot sanimin e rrëshqitjeve të dheut në rrugën N2, përkatësisht ‘Tek Tuneli’ në hyrje të Mitrovicës, ku ditë më parë ka pasur rrëshqitje të dheut në këtë segment rrugor.

Kadriu u shpreh i lumtur që pas rrëshqitjes së dheut nuk ka ndodhur ndonjë aksident me fatalitet për ndonjë qytetar, ndërsa premtoi se Ministria e Infrastrukturës ka marrë masat e duhura dhe është e fokusuar që shumë shpejtë të sanohet kjo gjendje.

Sipas tij, gjendja këtu nuk është e mirë pasi që për 17 vite nuk është investuar asnjë euro në sanimin e kësaj gjendje.

“Gjendja nuk është e mirë, na vjen mirë që dje nuk ka ndodhur ndonjë aksident me pasoja fatale për qytetarët, sepse ka rrëshqitur kurora e hyrjes së tunelit në Mitrovicë... Kemi marr masa si Ministri e Infrastrukturës që shpejtë brenda dy ditësh të përmbyllet çështja e projektit zbatues dhe nga java e ardhshme t’i shpallim procedurat e tenderimit për rikonstruimin e kësaj situate e cila nuk është e mirë, sepse realisht për 17 vite nuk është investuar asnjë euro në sanimin e kësaj gjendje… Kemi probleme me ujërat atmosferik, kanalizimin dhe të gjitha këto janë të parapara në projekt…Shpresojmë se brenda 40 ditëve ne do të hymë në punë për shkak të procedurave të tenderit të cilat lypin aq kohë, por jemi të fokusuar që kjo gjendje deri në verë të sanohet e tëra”, ka thënë Kadriu, raporton KP.

Zëvendësministri Kadriu gjatë ditës ka vizituar edhe gjendjen në veri pas rrëshqitjes së dheut, përkatësisht në kilometrin e 13-të afër liqenit të Ujmanit në drejtim me kufirin e Bërnjakut.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme