Arbëri

Në Kçiq të Madh të Mitrovicës u hap dega e bibliotekës “Latif Berisha”

Descriptive Text

Me hapjen e degës në Kçiq të Madh, Biblioteka “Latif Berisha” e Mitrovicës ka shënuar ditën e saj, që është 24 marsi, dita kur në vitin 1999 filluan bombardimet e NATO-s ndaja caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe, që po e mbanin Kosovën të pushtuar e të robëruar. Atë natë policia kriminale serbe vrau në shtëpinë e tij atdhetarin, shkrimtarin, intelektualin dhe udhëheqësin politik, Latif Berisha.

Me hapjen e Bibliotekës, Kçiqi po bëhet një mjedis urban, me të gjitha institucionet e nevojshme, për të cilat qytetarët kanë nevojë, u tha nga zyrtarët komunalë me rastin e hapjes së kësaj biblioteke.

Drejtori i Bibliotekës së qytetit, Miftar Kurti, tha se ajo tani ka një traditë 70-vjeçare të funksionimit dhe se ka një fond të pasur librash e literaturë tjetër në gjuhë të ndryshme, ka staf të përkushtuar, i cili është në shërbim të lexuesve, numri i të cilëve po rritet përditë.

Të pranishmit e shumtë që merrnin pjesë në hapjen e bibliotekës, i përshëndeti edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Fidan Ademi, i cili ju tha se prania e tyre tregon më së miri për etjen që kanë për dije.

Kjo degë e bibliotekës ka karakter të përkohshëm, sepse do të gjenden mjete për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Kçiq, ku do ta ketë vendin edhe biblioteka.