Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vihet gurthemeli për katër martirët e fshatit Nerodime e Eperme

Në fshatin Nerodime e Epërme, të premten është vendosur gurthemeli për martirët e kësaj ane Osman, Brahimi, Bajram e Agron Nuhaj.

Ne këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtore, familjarë të martirëve, drejtues të organizatave të dala nga lufta si dhe shumë mysafire të tjerë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

I pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, në këtë manifestim është shprehur se sot, për të shtatëmbëdhjetin vit me radhë, kujtojmë me nderim të veçantë ditën e madhe kur mori krahë bindja se nuk ishim të harruar as të lënë vetëm, në përpjekjet tona shumë të gjata e të vuajtura për liri e pavarësi.

“Si sot tetëmbëdhjetë vite më parë, regjimi që na shtypte e na vriste mizorisht, mori goditjet e para, duke u trandur me themel. Çdo goditje ndaj tij, ishte një rreze shprese për ne. Ne që kemi qenë dëshmitarë të asaj kohe, e kemi parë se si sot e tetëmbëdhjetë vite më parë, bisha e plagosur do të shkaktonte kalvarin e paparë të popullatës civile të Kosovës, me përmasa biblike, duke u hakmarrë ndaj njerëzve të pafajshëm. Dëshmi e hakmarrjes së paskrupullt, janë edhe këta martirë të Nerodimes së Epërme. Ata dhe shokët e tyre që ranë përpara dhe pas tyre, na tregojnë për çmimin e lartë të lirisë e të pavarësisë, të cilin e ka paguar ky popull e ky vend. Ndaj, sot, ndihemi krenarë që me këtë përmendore që do të ngritet për ta, do të përjetësohet emri i tyre. Sot është dita të kujtojmë që 18 vite më parë, po niste një fazë e re dhe dramatike në jetën e popullit tonë: faza kulmore dhe përfundimtare e luftës që do të çonte drejt çlirimit”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai tutje të pranishmëve ju ka thënë se kanë qenë kohë të trishta, të cilave sot u kthehemi për të ndarë me të gjithë qytetarët e Ferizajt ndjenjën e papërsëritshme të lirisë, për t’u shprehur mirënjohjen e pafund të gjitha vendeve që i dolën përballë dhe e mundën të keqen, së bashku me ne.

“Sot është dita që edhe një herë të falënderojmë vendet e NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për atë që bënë për ne qe 18 vite e këndej, duke i dhënë fund vrasjeve e shfarosjes që po bëheshin ndaj nesh dhe duke ndihmuar formimin dhe konsolidimin e jetës së re në liri e pavarësi.

Ne jemi të vetëdijshëm se pa mbështetjen e vendeve të NATO-s, të prira nga Shtetet e Bashkuara, historia jonë më e re do të bëhej shumë më tragjike se sa që ishte. Rrugëtimi dhe suksesi ynë i përbashkët prej gati dy dekadash, është i pandashëm besojmë thellë se i tillë do të jetë edhe në të ardhmen”, ka përfunduar kryetar Svarqa.

Të pranishmit në emër të familjes i ka përshëndetur Ali Nuha.