Arbëri

Të moshuarit e vetmuar

Çdo mëngjes e zgjojnë nga gjumi dhe janë të fundit që e përcjellin çdo natë në ëndrrat që ia vrasin vetminë. Edhe gjatë ditës ato nuk e lënë të qetë as edhe një moment të vetëm që të harrojë sa i vetmuar që është. Ato e përcjellin dhe nuk e lënë rehat, sikur një qengj që e ushqen me sheqerka, shkruan sot “Koha Ditore”.

Po të ishin vajgur gjithë ata lot të tij, që i rrjedhin pas çdo mendimi apo fjale, sot 72-vjeçari Ramë Berisha, nga fshati Nabërgjan i Pejës, kishte për të qenë një njeri i pasur. Por lotët dhe vuajtja pasuri atij nuk i sollën. Ai jeton me 75 euro pension, në shtëpinë e vet të vjetër, të amortizuar dhe të parregulluar.

Korridori dhe dhomat e shtëpisë për të janë shumë të zbrazëta prejse e ka humbur gruan. Fëmijë nuk ka pasur asnjëherë, se gruaja nuk ka arritur ta çojë deri në fund asnjë shtatzëni. “Kam qenë i martuar, por gruan ma kanë vrarë në luftë. Fëmijë nuk kemi pasur, se i vdisnin në bark”, tregon ai për fatin e gruas, që ia ka ndryshuar jetën që nga lufta e këndej.

Mungesa e saj në jetën e tij i lexohet në fytyrën e mbuluar nga rrudhat, si një çarçaf i pahekurosur. Vetëm në dhomën ku rri dhe fle, buzë një shporeti të vjetër, ka pakëz rregull. Sikur në fytyrën e tij, edhe në dhomat e tjera të shtëpisë vërehet mungesa e dorës së një femre. Gruan e ka të varrosur në varrezat e fshatit dhe jo rrallëherë e viziton edhe varrin e saj.

“Shkoj nganjëherë te varri i saj, por çka me ba me njeri të vdekur... eh...”, ndërpret fjalët dhe shpërthen në vaj. Pasi qetësohet pak, ai vazhdon të rrëfejë se sa e padrejtë është treguar jeta më të, ndonëse fjalët që i nxjerr janë shumë të buta për dhimbjet që i bart me vete në shpirtin e nxirë nga mërzia. Të kishte së paku një fëmijë, sot shtëpia e tij, siç shpreh dëshirën të ishte ashtu, nipat dhe mbesat do t’ia mbushnin shtëpinë me jetë dhe do t’ia zhduknin mërzinë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)