Haziri: Ky 17 shkurt shënon dekadën e parë të madhe të pavarësisë

Haziri: Ky 17 shkurt shënon dekadën e parë të madhe të pavarësisë

17 shkurt 2018 16:15

Me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur sot një mbledhje solemne, me ç’rast në mënyrë unanime ka votuar për shpalljen “Qytetar Nderi” të tri personaliteteve të kësaj ane, Hasan Mala, Hafiz Gagica dhe Afrim Kqiku.

Me këtë rast, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo është një dekadë e parë e pavarësisë, një dekadë e madhe përtej së cilës kemi sublimuar vullnetin e popullit për Republikën e Kosovës.

“Natyrisht, jo vetëm në mënyrë simbolike, ne e fillojmë çdo aktivitet me nderimin e madh të atyre që janë sakrifikuar dhe atyre që kanë dhënë jetën, duke u kryengritur, duke rezistuar dhe duke luftuar për këtë republikë. Duke e respektuar deri në gjunjëzim veprën e tyre, jo vetëm para përmendoreve, lapidarëve dhe obeliskëve, ne sot nderojmë familjet e tyre, nderojmë veprën e tyre dhe mbi të gjitha kujtojmë vullnetin dhe dëshirën e tyre që të ecim edhe më shpejt përpara”, ka thënë Haziri.

Me këtë rast, Haziri ka thënë se nuk duhet të harrojmë t`i falënderojmë edhe të gjallët, “ata që vazhdojnë të punojnë, të kontribuojnë dhe të japin mesazhin e unitetit, të bashkëpunimit dhe të shtet-ndërtimit, si obligim para gjeneratave të sotme dhe të ardhshme”.

“Hasan Mala është njëri prej bashkëqytetarëve tanë, i cili ishte i detyruar të largohet nga shtëpia, nga familja, nga atdheu e nga vendlindja, për të udhëhequr një kauzë dhe një organizim politik ilegal, i cili rezultoi deri në kryengritje”, ka thënë Haziri, në arsyetimin e tij për t`i nderuar me mirënjohje këtë personalitet dhe dy të tjerë, Hafiz Gagicën e Afrim Kqikun.

“Ne sot e kemi për nder për ta veçuar e nderuar për së gjalli Hasan Malën, për veprën dhe kontributin e tij”, ka thënë ai.

“Në rrugë të njëjtë për nga ideali dhe veprimtaria, por në një formë tjetër, u gjend edhe një bashkëqytetar yni i dytë, Hafiz Gagica, i cili u detyrua të migrojë në Gjermani, për t`i ikur arrestimit dhe torturës së regjimit të asaj kohe, që këtyre njerëzve vepronte pa mëshirë, për t`u bërë ideal i gjithë atyre që vepronin në emigracion, pa u ndalë asnjëherë, deri nëçlirimin e fundit të Republikës sonë”, ka thënë Haziri.

“Dhe jo më pak i rëndësishëm në këtë rrugë është një bashkëqytetar tjetër yni, një kronist i kohës nga historia jonë, i cili me qetësinë e tij, me aparatin e tij fotografik nuk ka lejuar asnjë ngjarje të rezistencës politike, ushtarake e humanitare pa e regjistruar, sikurse ka shkrirë çdo pasuritë tij dhe familjes në shërbim të kësaj kauze të madhe. Sot Afrim Kqiku mbetet kronisti më i madh dhe është njëri prej emrave që janë propozuar të nderohen si qytetarë nderi”, ka thënë kryetari Haziri.

Për më tepër, Haziri ka thënë se ka shumë emra dhe shumë personalitete tjera që ky Kuvend Komunal duhet t`i nderojë në të ardhmen.

Propozimet e tij janë votuar në mënyrë unanime nga të gjitha subjektet politike në Kuvend Komunal.

Haziri falënderoi edhe deputetet e Kuvendit të Kosovës nga kjo komunë, të cilët patën rastin dhe fatin që më 17 shkurt 2018 të nënshkruajnë Deklaratën e Pavarësisë, duke e zyrtarizuar vullnetin e brezave për këtë Republikë: Fatmir Rexhepi, Ahmet Isufi, Drita Maliqi si dhe vetë ai (Lutfi Haziri).

Përndryshe, Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka theksuar se ky përvjetor ngërthen brenda vetes një histori sa të dhembshme, aq edhe të lavdishme të popullit tonë, për të arritur deri te ky qëllim, liria dhe pavarësi e Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme