Haziri në Tel Aviv paraqet “shembullin e Gjilanit” për implementimin e programit Smart City

Haziri në Tel Aviv paraqet “shembullin e Gjilanit” për implementimin e programit Smart City

13 shkurt 2018 13:43

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi haziri, njëherësh anëtar i bordit të Agjensionit Evropian për Zhvillim të Demokracisë Lokale (ALDA) me seli në Bruksel, me ftesë të Unionit të Autoriteteve Lokale të Izraelit, po merr pjesë në konferencën botërore me temën “E ardhmja e qyteteve dhe sfidat e komunave”, ku fokus i veçantë do t’i vihet edhe fushës së teknologjive Smart.

Gjatë diskutimeve të sotme me pjesëmarrësit në konferencë, Haziri e ka spikatur Gjilanin si shembullin në implementimin e programit Smart City, duke qenë edhe shembull në regjion sa i përket kësaj fushe.

“‘Apliko Online’, ‘One Stop Shop’, ‘Telework’, ‘Gjilani Smart City’, ‘E-kiosqet’ e Arkiva Digjitale, e-Shëndetësia, e-Arsimi, e-Biblioteka etj, janë vetëm disa nga projektet që Gjilanin e bëjnë modelin më të mirë, jo vetëm në Republikë, por edhe në rajon”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Gjilanit, gjatë diskutimit me kryetarin e kryeqytetit të Izraelit (Tel Aviv), Ron Huldai, Haziri ka përmendur edhe takimin me ambasadorin e Izraelit në Gjilan, Yossi Levi, duke shtuar se kjo është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë mes Gjilanit dhe këtij shteti.

Gjatë tri ditëve në vazhdim, kreu i Gjilanit së bashku me pjesëmarrësit në këtë konferencë, do të ketë mundësinë të diskutoj për aspektet të veçanta të qeverisjes lokale në kontekst të zhvillimit teknologjik.

Përndryshe, ndër personalitetet që marrin pjesë në konferencë, janë edhe ministri i Ekonomisë dhe Industrisë në Izrael, Eli Cohen, ish-drejtori i përgjithshëm i MOSSAD, Tamir Pardo, kryetari i Yafo, Tel Aviv, etj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme