Arbëri

Komuna e Prizrenit ka padi në vlerë prej rreth 50 milionë eurosh

50 milionë euro rrezikon t’i humbë Komuna e Prizrenit si pasojë e moskryerjes së obligimeve në projektet e realizuara në 10 vjetët e fundit.

Gjatë qeverisjes së Ramadan Mujës, 3500 subjekte të ndryshme e kanë paditur komunën për mosshlyerje të obligimeve, raporton KTV.

Pjesa më e madhe e tyre i përkasin çështjeve juridike civile.

Moskryerja e obligimeve financiare apo shlyerja e pjesshme e borxheve për kompanitë që kanë kryer punime, mospagesat ndaj qytetarëve, të cilëve u janë shpronësuar tokat si dhe mosrespektimi i vendimit të Ministrisë së Arsimit për dhënien e tri pagave jubilare për punëtorët e arsimit janë disa nga paditë drejtuar komunës.

Mytaher Haskuka, kryetar i Komunës së Prizrenit këtë e ka cilësuar si keqmenaxhim.

Brenda vitit, i gjithë buxheti i kësaj komune arrin në 44 milionë euro.

Shoqëria civile megjithatë ka dilema se kjo shifër e konstatuar si borxh është saktë.

Sipas Naim Cahanit nga KDI, për të pasur një pasqyrë reale të dëmeve duhet krijuar një organ më gjithëpërfshirës.

Haskuka ka paralajmëruar së do të dërgojë padi në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ndaj zyrtarëve përgjegjës, përfshirë edhe ish-kryetarin Ramadan Muja nëse rastet përfundojnë në dëm të komunës.

Askush nga Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prizren, që kanë qenë pjesë e pushtetit, nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me këtë çështje.