Arbëri

Hartohet projekti për ndërtimin e ujësjellësit në Orllan

Descriptive Text

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot Ilir Abdullahun - kryeshef ekzekutiv i KUR “Prishtina”, drejtorin teknik Sokol Xhafa si dhe Alan Brown dhe Astrit Vokshi - përfaqësues të Asociacionit të Përbashkët Dorsch/CDI, e cila e implementon “Programin mbështetës për furnizim me ujë dhe kanalizime në zonat rurale të Kosovës, faza e 5-të”, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.

Në takimin u bisedua për zgjidhjen e çështjes së furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e fshatit Orllan me rrethinë dhe realizmin e projektit për trajtimin biologjik të ujërave të zeza.

Lidhur me këtë, ata u pajtuan që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë për këtë çështje.

Kryetari Veliu premtoi se me rishikimin e buxhetit komunal për vitin 2017 do të ndahet një shumë e mjeteve për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit për fshatin Orllan dhe se do të angazhohet që të gjejë forma të financimit të projektit edhe nga niveli qendror.

Kryeshefi ekzekutiv i KUR “Prishtina” Ilir Abdullahu, ka shprehur gatishmërinë për investime në zgjidhjen e çështjes së ujit të pijshëm për Orllanin dhe fshatrat përreth, duke thënë se menjëherë do të fillojnë me hartimin e projektit për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit.

Në këtë takim u njoftua se është në fazën e prokurimit projekti zbatues për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe impiantit për trajtimin biologjik të ujërave të zeza në Orllan.

Projekti në vlerë prej 500 deri 600 mijë euro financohet nga Zyra Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë dhe implementohet nga Asociacioni i Përbashkët Dorsch/CDI në kuadër të “Programit mbështetës për furnizim me ujë dhe kanalizime një zonat rurale në Kosovës, faza e 5-të”. kurse punimet do të fillojë menjëherë pas përfundimit të procedurave të prokurimit.