Komuna përjashton zyrtarin “për marrëdhënie seksuale me të mitur”, prokuroria mohon veprën

Komuna përjashton zyrtarin “për marrëdhënie seksuale me të mitur”, prokuroria mohon veprën

07 shkurt 2018 17:37

Komuna e Ferizajt e ka suspenduar një zyrtar të saj me dyshimet se ka keqpërdorur seksualisht një të mitur. Këtë vendim e ka marrë pavarësisht se Prokuroria e Shtetit nuk ka gjetur asnjë vepër penale.

Pezullimin Komuna e Ferizajt e bëri “për shkak se ndaj zyrtarit është duke u zhvilluar procedurë për shkelje të rëndë disiplinore, ngacmim seksual të supozuar ndaj palës – të miturës në vendin e tij të punës”.

“Kryetari i komunës ka marrë masa dhe e ka suspenduar një zyrtar komunal të komuniteteve për keqpërdorim të detyrës derisa dyshohej se ka shfrytëzuar hapësirat e komunës për marrëdhënie seksuale”, ka thënë për Kohën Ditore zëdhënësi i komunës së Ferizajt Selim Marevci.

Megjithëkëtë, Shukri Jashari, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj ka thënë se ky rast nuk ka të bëjë me ngacmim seksual dhe se i dyshuari nëse do të kishte kryer marrëdhënie seksuale, do të dërgohej menjëherë prapa grilave. Ai ka thënë se kjo është çështje e mbyllur dhe nuk po zhvillohen hetime për këtë rast.

“Për këtë ngjarje të rrejshme dikush nga komuna e ka njoftuar Policinë, ndryshe vajza e mitur e komunitetit pakicë nuk e ka akuzuar zyrtarin komunal për ngacmim seksual dhe nuk ka pranuar asgjë. Prandaj nuk ka asnjë vepër të ngacmimit seksual në këtë rast dhe për këtë arsyeje zyrtari komunal është i lirë, ndërkaq është çështje tjetër brenda komunës nëse ekzekutivi merr një vendim për suspendimin e tij nga puna”, ka thënë Jashari.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme