Qeveria investon 18 milionë euro në 5 projekte në Gjakovë

Qeveria investon 18 milionë euro në 5 projekte në Gjakovë

07 shkurt 2018 15:00

Një delegacion nga Qeveria e Kosovës, i përbërë nga ministrat Albena Reshitaj, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës si dhe Kujtim Gashi, ministër për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Jo rezidente, qëndruan sot në Gjakovë.

Siç bëhet e ditur përmes një njoftimi për media, ata u takuan me kryetarin e kësaj Komune, Ardian Gjini, ndërsa theksohet se rreth disa projekteve që Qeveria e Kosovës do t’i realizojë në Gjakovë.

Ndër të tjera, kryetari Gjini dhe ministri Lekaj sot nënshkruan memorandumin për përkrahjen e së paku 5 projekteve në komunën e Gjakovës, në vlerë prej rreth 18 milionë euro, mes të cilëve edhe projekti për unazën e qytetit, i cili do të kushtojë 8 milionë euro dhe do të financohet në tërësi nga Qeveria e Kosovës.

Projekte konkrete u diskutuan edhe me ministren Reshitaj, ndërsa prioritet pati projekti për rehabilitimin e lumenjve të Gjakovës, trajtimi i ujërave të zeza dhe vazhdimi i projektit për ujin e pijes në regjionin e Rekës së Keqe.

Në aspektin e sportit, kulturës dhe rinisë, Gjakova do të përfitojë projekte edhe nga MKRS-ja, pasi ministri Gashi ka bërë të ditur se kjo ministri do të vazhdojë me projektin e fushave të tenisit në Shkugëz, ndërtimin e stadionit të futbollit me barë sintetik, po ashtu në Shkugëz, ndërtimi i qendrës së kulturës në fshatin Rogovë si dhe ndërtimin e kompleksit edukativo – rinor në fshatin Pjetërshan, si njëri prej projekteve rinore me karakter regjional.

Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, pasi e ka mirëpritur këtë gatishmëri të Qeverisë së Kosovës për të investuar në Gjakovë, ka thënë se kjo përkrahje ka rëndësi të madhe për Gjakovën dhe të gjithë banorët e saj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme