Arbëri

Pronësia e Pallatit të Rinisë procedohet në Kuvend pas dy dështimeve

Komisioni Për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal më në fund ka vendosur që propozim-vendimi i Qeverisë për ta kthyer Pallatin e Rinisë nën menaxhim të Komunës së Prishtinës të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

Ky propozim-vendim është votuar me 5 vota pro nga anëtarët e komisionit dhe një kundër, që erdhi nga PDK.

“Me 5 vota për dhe 1 kundër (PDK) Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal vendosi që të procedojë propozim-vendimin e qeverisë për t'i kthyer Pallatin e Rinisë qytetarëve të Komunës së Prishtinës”, ka shkruar deputeti i VV-së, Dardan Sejdiu, raporton Koha.net.

Sejdiu kishte kritikuar kryesuesen e Komisionit në mbledhjen e kaluar, pasi, sipas tij, deputetja e PDK-së, Sala Berisha Shala, kishte vendosur të mbyllte mbledhjen ende pa filluar mirë.

Ai pati thënë se ky vendim i kryesueses tregon që ajo nuk ka dashur ta procedojë tutje këtë çështje.

Edhe Dardani tjetër i VV-së në Kuvendin e Kosovës, Molliqaj, ka treguar se Komisioni vendosi që Kuvendit t’ia procedojë për vendim propozimin e përbashkët të Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës, që Ndërmarrja “Qendra shoqërore, sportive, kulturore dhe ekonomike Pallati i Rinisë” në Prishtinë, të kthehet në ndërmarrje publike komunale.

Ai i ka bërë edhe thirrje Kryesisë së Kuvendit që sa më shpejtë të mbajë mbledhje, ta fusë në rend të ditës për seancë plenare dhe pastaj deputetët të kenë mundësi që këtë ndërmarrje t’ia kthejnë nën menaxhim qytetarëve të Komunës së Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës e ka për detyrë të menaxhojë këtë ndërmarrje dhe t’i nisë investimet e duhura për ta bërë atë një qendër siç i ka hije Kryeqytetit. Urime Kryetar z. Ahmeti! Urime të gjithë qytetarëve të Prishtinës”, tha Molliqaj në një postim në Facebook.

Kjo ishte hera e tretë që Komisioni u mblodh për këtë çështje, dhe pas dy tentimeve të dështuara, arriti që kësaj radhe ta dërgojë në Kuvend të Kosovës vendimin e Qeverisë për t’ia kaluar Komunës së Prishtinës pronësinë e Pallatit të Rinisë.