Investitorë kroatë interesohen për trajtimin e ujërave të zeza në Malishevë

Investitorë kroatë interesohen për trajtimin e ujërave të zeza në Malishevë

06 shkurt 2018 13:36

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur në një takim pune një grup investitorësh kroatë, me të cilët ka biseduar për investimet e mundshme të kompanive kroate në trajtimin e ujërave të zeza dhe mbetjeve tjera, në territorin e Komunës së Malishevës.

Me këtë rast, Begaj i ka njoftuar investitorët kroatë me situatën në Malishevë dhe nevojën për investime në këtë fushë.

“Trajtimi i ujërave të zeza është problematikë në vete pasi ne si komunë kemi investuar shumë në rrjetet e kanalizimeve, por trajtimi i mëtutjeshëm i ujërave të zeza është i pamundur për shkak të kostos së lartë për ndërtimin e impianteve dhe trajtimin e tyre”, tha Begaj.

Nga ana tjetër, investitorët kroatë, të prirë nga Bruno Vidakoviq, e njoftuan kryetarin Begaj për interesimin e tyre si grup i investitorëve dhe ekspertëve që merren me trajtimin e ujërave të zeza si dhe për projektet e tyre në ndriçimin solar.

Me këtë rast, kryetari Begaj, investitorëve kroatë ju ofroi mbështetjen e komunës për investime në këtë fushë, pasi, siç tha ai, trajtimi i ujërave të zeza është nevojë emergjente jo vetëm për Komunën e Malishevës, por pothuajse në tërë vendin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme