Lekaj e Aliu bisedojnë për projektet e bashkimit të qytetit dhe të nënkalimit tek hekurudha në qendër të Ferizajt

Lekaj e Aliu bisedojnë për projektet e bashkimit të qytetit dhe të nënkalimit tek hekurudha në qendër të Ferizajt

22 janar 2018 16:59

Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, u takua me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, me të cilin bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Lekaj e ka falënderuar kryetarin Aliu për “bashkëpunimin cilësor” dhe i ka premtuar atij se edhe Ferizaj, sikurse të gjitha komunat tjera do të ndihmohet në projektet e saja, për aq sa ka mundësi buxhetore dhe në ato projekte që kanë mbështetje buxhetore.

Ministri e ka informuar Aliun se Ministria e Infrastrukturës, që kur ai ka ardhur në krye të saj, ka vënë mekanizmat e saj në lëvizje, në mënyrë që projektet që janë prolonguar më herët, të futen në proces dhe të mos vonohen më shumë. Ministri Lekaj, po ashtu tha se Ministria e Infrastrukturës mbetet e përkushtuar që t’iu ndihmoi komunave dhe ti mbështesë ato pa dallim.

Aliu e ka falënderuar Lekajn për gatishmërinë e treguar që t’i mbështesë projektet e nevojshme dhe që kanë rëndësi për ta si komunë, sidomos ato projekte ku qytetarëve të vendit u ofrohet zgjidhje adekuate, siç është edhe projekti i bashkimit të qytetit, ai për nënkalimin tek hekurudha në qendër të qytetit dhe projekte të tjera që kanë rëndësi vitale për qytetarët e Ferizajt.

Ministri Lekaj dhe kryetari Aliu, janë dakorduar se të gjitha projektet e filluara duhet të përfundohen në bazë të prioriteteve të Komunës së Ferizajt dhe rëndësisë që ato kanë për qytetarin dhe Ferizajn.​

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme