Arbëri

Trotuar në rrugën rajonale lidh 3 fshatra të Llapit

Descriptive Text

Podujevë, 21 mars – Zyrtarët komunalë të Podujevës kanë njoftuar se janë duke e ndërtuar trotuarin në rrugën rajonale në segmentin që lidh fshatrat Dobërdol, Zakut dhe Kërpimeh.

Nëpërmjet një njoftimi thuhet se kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, dhe drejtori i Shërbimeve Publike, i Mbrojtjes dhe i Shpëtimit, Faik Muçiqi, të premten, kanë inspektuar punimet në ndërtimin e këtij trotuari në gjatësi prej 3,5 km.

“Me ndërtimin e këtij trotuari kemi krijuar kushtet për lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët dhe veçmas për nxënësit në këtë segment të rrugës rajonale”, ka thënë Agim Veliu nëpërmjet këtij njoftimi.

“Kryetari Veliu, ka thënë se, krahas ndërtimit të infrastrukturës rrugore, një nga prioritetet e Ekzekutivit komunal vazhdon të jetë edhe ndërtimi i trotuareve nëpër lagje të qytetit dhe nëpër fshatra. Në kuadër të planifikimeve buxhetore për këtë vit është paraparë ndërtimi i trotuareve me kubëza në lokalitete të ndryshme, në një gjatësi prej rreth 13 km, thuhet në njoftim.