Arbëri

Vetëvendosje kundër projektit për Qendrën e biznesit në Fushë-Kosovë

Fushë-Kosovë, 20 mars – Zyrtarë të lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovë nuk besojnë që ndërtimi i hoteleve e i hapësirave rekreative mund të ndikojnë në rritjen e ekonomisë, shkruan sot Koha Ditore.

Duke folur për propozimin për fillimin e procedurave për ndërrimin e destinimit të pronës private në fshatin Sllatinë e Madhe, për një subjekt afarist që ka për qëllim realizimin e projektit “Qendra e biznesit”, këshilltarja Trëndelina Duli shprehet se ekzekutivi nuk i ka ndjekur të gjithë hapat e nevojshëm për këtë çështje. Ajo ka thënë se nuk janë kundër që të ketë zhvillim të biznesit, mirëpo, sipas saj, duhet të jetë në kuadër të hapësirave të përcaktuara.

“Ne i mbështesim në masë të madhe sidomos bizneset prodhuese, ndërsa të themi të drejtën jemi skeptik për këtë llojin e biznesit që propozohet këtu. D.m.th. një hotel me disa hapësira sportive e rekreative. Ne nuk mendojmë që me të tilla biznese rritet ekonomia. Mua, para së gjithash, më intereson mendimi i banorëve përreth”, ka thënë Trëndelina Duli. “A i ka konsultuar dikush banorët e fshatit, cili është mendimi i tyre? Sepse nuk ka shumë kohë kur banorët e Sllatinës janë ankuar për disa punime të cilat e kanë dëmtuar hapësirën pyjore. D.m.th. thjesht na duhen argumente shtesë edhe më të fuqishme që as nuk dëmtohet ambienti, as nuk shkakton pakënaqësi në komunitetin përreth dhe do të jetë një biznes që premton vende pune në mënyrë që me dhanë votën për”.

Gazeta ka kërkuar përgjigje për këtë çështje edhe nga zyrtarët komunalë që nga data 2 mars, por ata nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.