Arbëri

Paguajnë rrymën rregullisht, por dëmtohen shumë nga ndërprerjet e saj

Një kompanie të vendosur në Zonën industriale në Suharekë i është prishur njëra nga makineritë këtë të hënë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.

Dhe, e gjithë kjo sipas bizneseve që janë të vendosura në këtë hapësirë ka ndodhur për shkak se KEDS-i nuk i kishte lajmëruar paraprakisht se në këtë pjesë do të ndërpritej energjia elektrike, raporton KTV.

Në këtë fabrikë kanë dëshmuar edhe me dokumente se si paguajnë rregullisht mijëra euro për energjinë e shpenzuar.

Për shkak të situatës së krijuar as drejtuesit e kësaj kompanie e as të kompanive tjera, ende nuk kanë nisur të vlerësojnë dëmet që u ka shkaktuar kjo ndërprerje.

Ndërkohë që ka të tillë që për shkak të dëmeve që shkaktuara më herët janë ende duke luftuar nëpër gjykata me KEDS-in.

Një situatë e tillë ka shqetësuar edhe kryetarin e kësaj komune, i cili kishte vizituar bizneset e dëmtuara nga ndërprerja e energjisë.

Në mëngjes, përfaqësuesit e kompanive kanë pasur një takim me zyrtarë të KEDS-it në këtë komunë, nga të cilët kanë marrë lajmin se edhe në orën 15 do të kenë ndërprerje të sërishme të energjisë.

Kjo kishte bindur përfundimisht bizneset që me punëtorë e automjete të organizonin një marsh protestues.

Për shkak të presionit të madh publik, KEDS-i hoqi dorë nga ndërprerja e rrymës në orën 15, por të njëjtën e realizoi një orë më pas, kur protesta përfundoi.

KEDS-i, siç e ka bërë zakon, i është përgjigjur KTV-së vetëm me shkrim, duke thënë se energjia është ndërprerë me kërkesë të KOSTT-it. Madje thotë se bizneset janë njoftuar përmes mediave dhe janë telefonuar konsumatorët pavarësisht se një shërbim të tillë nuk e kanë obligim.