Inspektori në Kamenicë i dënuar për korrupsion nga Apeli vazhdon të marrë 50 % të pagës

12 janar 2018 20:24

Paqartësitë në interpretimin e Ligjit për Shërbimin Civil kanë bërë që përgjegjësi i Inspektoratit në Kamenicë, Refik Latifi, të mbajë punën pavarësisht se ka një vendim të formës së prerë për dënimin e tij.

Latifin, Gjykata Themelore e Gjilanit e kishte dënuar me 6 muaj burgim nën akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dënim që ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit, më 11 nëntor të vitit të kaluar, raporton KTV.

Por, Ligji për Shërbimin Civil, në nenin 90, parasheh që një shërbyesi civil i ndërpritet kontrata kur ai mes tjerash dënohet nga një gjykatë me vendim të formës së prerë për mbajtjen e burgut efektiv për 6 muaj e më tepër.

Zyra e personelit në Komunën e Kamenicës, duke i marrë parasysh vendimin e gjykatës dhe ligjin në fjalë, i ka kërkuar një opinion ligjor Ministrisë së Administratës Publike.

Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, ka pranuar se nuk ka njohuri për rastin e Latifit, por është zotuar se nuk do të tolerojë raste të tilla.

Latifi është gjetur fajtor se kishte lejuar kalimin e mjeteve transportuese të eksploatuesve ilegalë të zhavorrit në zonën e Kamenicës, pavarësisht se të njëjtat, ishin ndaluar nga Policia e Kosovës në mungesë të dokumentacionit përkatës.

Avokati i Latifit, Shemsedin Piraj, ka bërë të ditur për KTV-në se tashmë i janë drejtuar me një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme