Arbëri

AAK: Me vendimin për Istogun është shkelur Kushtetuta

Descriptive Text

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka pranuar zyrtarisht vendimin e Gjykatës Supreme e cila refuzon ankesën e AAK-së dhe i jep të drejtë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në rastin e rivotimit për kryetar të Komunës së Istogut.

Për AAK-në, është e dukshme që gjithçka tjetër është trajtuar në ankesa, qoftë nga PZAP apo në Gjykatën Supreme, por vetëm faktet jo.

Sipas AAK-së, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e thotë qartë:

Neni 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes]

1. Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor.

“E vërteta është që, në procesin e fundit zgjedhor për kryetar të Istogut, kanë votuar votues të rinj, të cilët kanë plotësuar moshën për të votuar, kjo është e drejtë kushtetuese e secilit qytetar të Republikës, por vota e tyre është eliminuar nga KQZ dhe është vërtetuar nga PZAP dhe Gjykata”, thotë AAK në këtë reagim.

Sipas AAK-së, fakti që ka votues që kanë votuar për herë të parë është pranuar edhe nga KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme, “por çuditërisht kanë vendosur të jenë mbi Kushtetutën e vendit dhe të përcaktojnë kush ka të drejt të votoj e kush jo”.

AAK thotë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që të jap vendimin e saj në mbrojtje të Kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Tashmë për AAK-në nuk është në pyetje kush do të jetë kryetar i Istogut, por janë të drejtat dhe liritë themelore të secilit qytetar të Republikës të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, këto të drejta janë të pamohushme dhe nuk mund t’i tjetërsojë askush”, ka përfunduar reagimi i AAK-së.