Arbëri

Drenasi e Malisheva me bashkëpunim ndërkomunal

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, priti në takim kryetarin e komunës së Malishevës, Ragip Begaj me bashkëpunëtorë, të cilët biseduan për mundësitë e bashkëpunimit ndërkomunal, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Bashkëpunimi ndërkomunal është i rëndësishëm për të realizuar tutje agjendat zhvillimore të komunave tona, Drenasit dhe Malishevës. Konsideroj se kemi mjaftë hapësirë për bashkëpunim për të mirën e qytetarëve tanë, duke marrë parasysh prioritetet e ndërsjella”, theksoi Lladrovci.

Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme për të dy komunat, si çështja e infrastrukturës, përmirësimi i kushteve në fshatrat ku kufizohen Drenasi me Malishevën si dhe bashkëpunimin në mes të drejtorive gjegjëse komunale.

Lladrovci falënderoi Begajn për vizitën, duke ofruar bashkëpunim maksimal për të gjitha çështjet që janë në interes të qytetarëve.