Arbëri

Jeton Ujkani zgjedhet kryesues i Kuvendit të komunës së Mitrovicës

Descriptive Text

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, këshilltari nga radhët e AKR-së, Jeton Ujkani, është zgjedhur në raundin e tretë të votimit, më shumicën e votave të këshilltarëve të pranishëm e që ishin 20 sish, kryesues i Kuvendit të Komunës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Mbledhjen, që ishte e dyta me radhë e Kuvendit të Komunës, të dalë nga zgjedhjet e fundit, e kryesoi këshilltari më i vjetër, Gani Haliti. Para se të procedohet me rendin e ditës, para kuvendarëve dhanë betimin Safet Kamberi nga LDK-ja dhe Shyqeri Peci, nga Nisma, të cilët nuk kishin marrë pjesë në mbledhjen inauguruese”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Më tutje thuhet se para se të procedohet me rendin e ditës, grupi i këshilltarëve të PDK-së, kërkoi një pauzë prej 10 minutash, por këshilltarët tjerë ishin kundër kësaj kërkese, kështu që mbledhja vazhdoi punën.

“Por, para se të fillonte votimi i fshehtë për kryesuesin e propozuar Jeton Ujkani, që ishte e vetmi, mbledhjen e lëshuan edhe këshilltarët e LDK-së, me arsyetim se nuk ka konsensus për kandidatin e propozuar, që e mbështetën këshilltarët e AKR-së, VV-së, AAK-së, Nismës dhe disa këshilltarë të PDK-së. Meqë në sallë kishte kuorum, mbledhja vazhdoi dhe votimi nxori kryesues të KK-së, Jeton Ujkanin”, thuhet në komunikatë.

Pasi u zgjodhe kryesues, Jeton Ujkani premtoi se do ta kryejë punën e vet në harmoni me ligjin dhe rregulloret e KK-së dhe se do të jetë bashkëpunues me të gjithë këshilltarët e Kuvendit të Komunës.