Arbëri

Veliu betohet para flamujve kombëtarë të sjellë nga asamblistët e Vetëvendosjes

Këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë nuk kanë shkuar “duar boshë” në mbledhjen inauguruese të Kuvendit Komunal.

Në seancën e parë të Kuvendit të ri, ata kanë marrë me vete flamujt kombëtarë, tetë gjithsej nga nëntë këshilltarë sa i ka kjo parti (një mungonte).

Pas ceremonisë së betimit të kryetarit të Komunës, Agim Veliu, dhe këshilltarëve, Veliu ka thënë se ndihet mirë që ka përfunduar procesi i zgjedhjeve pa pasur asnjë incident dhe pa u kontestuar rezultati nga askush.

Ka thënë po ashtu se në këtë garë nuk ka fitues e humbës, por ka vetëm një vendim demokratik se kë duan qytetarët llapjanë t’u shërbej në katër vjetët e ardhshme.

“Nga kjo foltore e Kuvendit ju them të gjithëve se do të jem në shërbim tuajin pa dallim partie, fshati apo lagjeje. Llapi vërtetë është i madh, por jo edhe aq i madh sa ta ndajmë në fshatra, parti apo ego personale. Podujeva ka nevojë për të gjithë neve dhe këtu në këtë sallë po e theksoj se do të punoj për Podujevën si tërësi”, ka thënë gjatë fjalimit të tij Agim Veliu, raporton korrespodenti i Grupit KOHA nga Podujeva.

“Ju drejtohem në veçanti juve këshilltarëve të të gjitha parive politike, ejani të diskutojmë, ejani të unë në zyrë siç do të vij edhe unë tek ju për t’ua shtrirë dorën e bashkëpunimit për projektet dhe idetë tuaja në funksion të zhvillimit të qytetit. Por, jam i sigurt se edhe ju me programet tuaja keni projekte të mira për qytetin, pa dallim. Prandaj, ju ftoj duke ju kërkuar njëkohësisht të bëni opozitën e fuqishme, të bashkëpunojmë dhe jo të grindemi. Të diskutojmë me argumente dhe fakte në të mirë ose në kundërshtim të një ideje”, u shpreh kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Veliu më tej ka thënë se do t’u shërbejë më shumë interesave të qytetarëve nëse bashkëpunojnë sesa nëse mbajnë inate e grinden.