Arbëri

Gjilan, biseda për të drejtat e shqiptarëve në Luginë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga dhe kryetari i Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriun, ka pritur sot në takim këshilltaren dhe ish-kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Bujanocit, Shaip Kamberin, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.

Në këtë takim u bisedua për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore, në veçanti të drejtave civile të shqiptarëve të Preshevës dhe Bujanocit në Komunën dhe regjionin e Gjilanit.

“Është njëra prej kauzave që ne jemi munduar në implementim të Rezolutës së Kuvendit të Republikës, i cili përmes saj ka marrë obligime që edhe në Kosovë dhe jashtë saj t’i shtyjë agjendat politike të shqiptarëve. Edhe më tutje nuk kemi iniciativë ligjore për ndryshimin e ligjit për shtetësi në mënyrë që të drejtat civile të qytetarëve të Kosovës Lindore të garantohen dhe të realizohen”, tha Haziri.

Ai pohoi se kanë biseduar edhe lidhur me mikro-regjionin Gjilan-Preshevë-Kumanovë, ku hyn edhe Bujanoci dhe 17 komunat e regjionit lindje.

Haziri ka paralajmëruar se në mars do të mbahet takimi i Komitetit të Regjioneve të BE’së, ku do të marrin pjesë të gjitha komunat e regjionit tonë nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia, duke synuar që ta zhvillojnë programin e përbashkët me interes të veçantë.

Nga ana e tyre, kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi dhe ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e kanë falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe iniciativat e tij për bashkëpunim të vazhdueshëm në kuadër të mikro-regjionit europian Gjilan-Preshevë-Kumanovë në interes të të gjitha palëve, sikurse edhe për përahjen e vazhdueshme për shqiptarëve të Kosovës Lindore.