10 familje jetojnë keq në “banesat e vetmisë” në Obiliq, ato do të rrënohen vitin tjetër

10 dhjetor 2017 21:26

Në dukje të parë, këto objekte në qendër të Qytezës së Obiliqit duken si të braktisura.

Aty jetojnë disa familje, në kushte të mjerueshme, ngase asnjë standard normal nuk i plotëson kjo strehë e tyre.

Të gjithë kanë një të përbashkët, jetojnë me asistencë sociale, ndërsa problemet tjera i kanë të ndryshme, raporton KTV.

Meqë banjat janë kolektive, atyre u është dashur të bëjnë vetë një zgjidhje për rregullimin brenda banesës, e edhe kjo alternativë po u shkakton vështirësi.

Ankohen se po kërcënohen nga sëmundje të ndryshme. Prandaj, kanë kërkuar nga komuna një zgjidhje tjetër banimi, por nuk kanë pasur përkrahje.

Për këto tri ndërtesa ankohen edhe banorët e tjerë të cilët jetojnë përreth.

Banesat janë në pronësi të Korporatës Energjetike të Kosovës. Si fillim ato ishin në shfrytëzim të punëtorëve të korporatës, mirëpo pasi aty për shumë vjet nuk jeton askush janë vendosur qytetarë jo vetëm nga kjo qytezë, por dhe qytetet e tjera.

Gjatë fushatave zgjedhore rrënimi i tyre është përmendur vazhdimisht, sepse të njëjtat po ia prishin imazhin qytetit.

Të ashtuquajturat “banesat e vetmisë” do të rrënohen gjatë vitit që vjen, ka thënë drejtori i Shërbimeve Publike në Obiliq, Burim Gërguri.

Për mosgjetjen e një zgjidhjeje për këta banorë, Komuna arsyetohet me mungesë fondesh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme