Arbëri

Profesori i Gjeografisë rrihet nga axha i nxënësit të cilin ai e përjashtoi nga mësimi

Përparim Qahilit, mësimdhënës i gjeografisë, përjashtimi nga ora e mësimit të një nxënësi i ka kushtuar me rrahje.

Nxënësi, i cili u nxor jashtë nga klasa, i njoftoi të atin dhe axhën e tij, raporton KTV.

Me të marrë lajmin, axha i tij, bashke me disa persona të tjerë, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj mësimdhënësit në oborrin e shkollës.

Vetë Përparimi nuk ka dashur të flasë para kamerës për rrahjen dhe lëndimet që i ka pësuar, duke thënë se nuk është në gjendje të mirë.

As i ati i nxënësit nuk ka pranuar të flasë, duke thënë se ai nuk ishte në vendin e ngjarjes.

Ai vetëm ka pranuar se vëllai i tij e ka rrahur mësimdhënësin dhe tashmë ndodhet në mbajtje.

Por, drejtori i shkollës tregon arsyen e kësaj përleshjeje, derisa thotë se nxënësi në fjalë është problematik.

Nga kjo rrahje, mësimdhënësi ka pësuar lëndime trupore.

Derisa drejtori i shkollës ka fjalë të mira për mësimdhënësin e rrahur, disa nxënës të klasave të tjera kanë thënë se ka pasur shumë herë raste kur ky mësimdhënës i ka rrahur nxënësit.

Sidoqoftë, raste të ushtrimit të dhunës nëpër shkollat në vend vazhdojnë të jenë shqetësuese.