Arbëri

Panairi i Punës në Mitrovicë, ofrohen 300 vende të lira

Descriptive Text

Prishtinë, 8 dhjetor - Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica mori sot pjesë në hapjen e Panairit të Punës në Mitrovicë, panair ky i organizuar nga Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale - Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe me mbështetje nga GIZ-i Gjerman.

Ministri vlerësoi lartë organizimin e këtij panairi si dhe falënderoi punëdhënësit e pranishëm në panair, të cilët prezantuan mbi 300 vende të lira pune të profileve të ndryshme për punëkërkuesit e rajonit të Mitrovicës.

Sipas tij, kjo krijon mundësi reale për punësim dhe zhvillim në karrierë për të gjithë të interesuarit e papunë, e që njëherësh paraqet njërën nga objektivat kyçe të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Ky bashkëpunim me GIZ-in Gjerman nuk kufizohet vetëm në këtë panair, por në vete përfshinë një mori aktivitetesh të përmbledhura në Programin YES, në kuadër të së cilit janë përfshirë 1300 punëkërkues në komponentët e praktikës në punë, subvencionim në paga, në skemën e vetëpunësimit dhe ndërmarrësisë dhe masat tjera aktive të tregut të punës, në të gjithë Kosovën”, u shpreh Reçica.

Ministri theksoi se angazhimi i MPMS-së është i vazhdueshëm për të krijuar më shumë mundësi, të cilat promovojnë punësimin, vetëpunësimin, aftësimin profesional, trajnime dhe punë praktike, në mënyrë që të lehtësohet procesi dhe rruga drejtë integrimit në tregun e punës për të gjithë të papunët, në veçanti për të rinjtë e vendit tonë.

Ministri tha se MPMS do të ofrojë në dispozicion të gjithë infrastrukturën institucionale dhe shërbimet e saj në përkrahje të drejtpërdrejtë në arritjen e qëllimeve me interes të përbashkët, për të ngritur punësueshmërinë dhe mirëqenien për qytetarët e Mitrovicës dhe të Kosovës.