Arbëri

Lladrovci me asamblistët e rinj të Drenasit, pas betimit homazhe në Prekaz

Pas dhënies së betimit për mandatin e ardhshëm, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me asamblistët e rinj të asamblesë komunale, ka vizituar Kompleksin memorial të Jasharajve dhe varrin e komandantit legjendar, Adem Jashari, ku së bashku bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule.

Gjatë kësaj vizite të udhëheqësve të Drenasit në Prekaz, shoqërimin e bëri kryetari i zgjedhur i Skënderajt, Bekim Jashari.

Në njoftimin për media të Komunës së Drenasit, thuhet se lidhur me këtë ngjarje kujtese e krenarie, Lladrovci ka thënë se “sot filloi kapitulli i ri në qeverisjen e re të Drenasit, për mandatin e ardhshëm, me zotimet e njohura: ligj, transparencë e llogaridhënie. Së bashku me asamblistët do ta bëjmë Drenasin më të mirë. Po ashtu, me Kryetarin Bekim Jashari, do ta bëjmë edhe Drenicën më të mirë, ashtu siç e duan qytetarët”.

“Pas betimit solemn para Asamblesë së re të Komunës së Drenasit, të gjithë së bashku erdhëm te Memoriali i Jasharajve në Prekaz dhe vendosem lule pranë vendit ku prehet Komandanti legjendar, Adem Jashari dhe anëtarët tjerë të kësaj familjeje të lavdishme”, citohet të ketë thënë Lladrovci.

“Sot, filloi kapitulli i ri në qeverisjen e re të Drenasit, për mandatin e ardhshëm, me zotimet e njohura: ligj, transparencë e llogaridhënie. Së bashku me asamblistët do ta bëjmë Drenasin më të mirë. Po ashtu, me Kryetarin Bekim Jashari, do ta bëjmë edhe Drenicën më të mirë, ashtu siç e duan qytetarët. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Lavdi e përjetshme Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari!”, ka thënë Lladrovci.