Arbëri

Punimet në rrugë po krijojnë kolona të gjata të automjeteve në hyrje të Pejës

Kalimi i kësaj rruge, e cila ka një gjatësi jo më shumë se 2 kilometra e gjysmë në hyrje të qytetit të Pejës, qytetarëve po u shkakton shumë probleme.

Si pasojë e gjendjes së saj, e cila po përkeqësohet dita-ditës, aty po krijohen kolona të gjata e që pritjet shkojnë deri në 40 minuta, raporton KTV.

Kolona po krijohet edhe gjatë vikendit , e në ditët e javës qytetarët thonë se aty bëhet kaos i madh.

Krahas humbjes së kohës kjo thonë t’u kushtojë edhe nga ana materiale.

Banorët të cilët jetojnë aty afër thonë se ndihen të rrezikuar, pasi ka shumë vetura.

Ministria e Infrastrukturës, e cila ka nën menaxhim këtë rrugë, pati nisur një projekt për zgjerimin e rrugës me dy korsi, por kjo pjesë pati mbetur ashtu pas protestave të banorëve dhe bizneseve në këtë pjesë.

Argjend Zenaj nga Ministria e Infrastrukturës, ka deklaruar se rregullimi i saj nuk mund të bëhet deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Zejna për Kohavisionin ka thënë se janë takuar me udhëheqësit e atyre bizneseve dhe pas këtyre takimeve, kanë krijuar një komision për rishikim të mundësive në ndërtimin e një rrethi për ofrimin e mundësisë së kyçjes më të lehtë të bizneseve që operojnë në atë pjesë.