Arbëri

Në Vërboc të Drenasit zbulohet pllaka përkujtimore e 42 dëshmorëve dhe 280 martirëve

Për nder të festave të Nëntorit, në fshatin Vërboc të Komunës së Drenasit, është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore të 42 dëshmorëve e 280 martirëve të fshatrave; Vërboc, Shtuticë, Polluzhë, Tërstenik, Gllobar, Dashec, Baks dhe fshatrave përreth që ishin vrarë nga forcat serbe në fund prillin dhe fillim majin e vitit 1999, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.

Pllaka përkujtimore është rregulluar nga Komuna e Drenasit, përkatësisht nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë. Vendosja e kësaj pllake është bërë pranë lapidarit të Komandantit, Ilaz Kodra.

Në përurimin e kësaj pllake përkujtimore, merrnin pjesë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, drejtor të drejtorive komunale, familjarë të dëshmorëve, invalid e veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjar e shumë qytetarë.

Ne emër të Komunës së Drenasit, fjalën e mori kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, ndërsa ne emër të familjeve të dëshmorëve e martirëve, fjalën e mori Rifat Bilalli.