Arbëri

Shoqata e Bletarëve të Malishevës mbështetet nga Unioni Evropian për Bletari

Malishevë, 23 nëntor - Shoqata e Bletarëve ,, Mëma” në Malishevë, ka mbajtur punëtorinë me temën: Shëndeti i bletarëve dhe mbrojtja nga sëmundjet ,, Pesta amerikane dhe ajo evropiane” . Për këtë temë referuan dy ekspertë gjermanë.

Në këtë punëtori interesimi për pjesëmarrje i bletarëve ishte i kënaqshëm, pasi kjo veprimtari prodhuese në territorin e Malishevës ka shënuar zhvillim. Sipas kryetarit të Shoqatës së Bletarëve ,, Mëma “, Salih Bytyçit, me këtë degë bujqësore merren 180 anëtarë.

Bytyçi theksoi ,,Interesimi i bletarëve ishte i jashtëzakonshëm, prandaj për këtë çështje do të mbahen punëtori dhe trajnime, për një ekip vendor të bletarëve, i cili do të merret me punët në terren, me secilin bletar, që t’u ndihmohet në dhënien e njohurive elementare për eliminimin e kësaj sëmundje” përfundoi Bytyçi. Kurse në të ardhmen e afërt do të mbahen trajnime e punëtori me bletarët malishevas, të cilat do të mbështeten nga Unioni Evropian për Bletari.