Arbëri

Gjilanasit protestojnë kundër zhvendosjes së përmendores “ushtari i panjohur”

Me protesta, qytetarë dhe organizata të shumta joqeveritare në Gjilan, po e kundërshtojnë largimin e përmendores, e cila njihet si “ushtari i panjohur”.

Sipas organizatorëve, deri më tani janë mbledhur më shumë se 380 nënshkrime të qytetarëve që kërkojnë të mos ndryshohet lokacioni i skulpturës, pasi lëvizja e skulpturës disa metra më lart, është e paarsyeshme dhe denigron këtë monument kulturor, raporton KTV.

Sipas tyre, komuna e Gjilanit fare nuk është konsultuar me qytetarët, por gjithashtu ka dështuar të dëshmojë se Kuvendi Komunal ka marrë vendim për zhvendosjen e monumenteve.

Sipas qytetarëve, kjo përmendore nuk duhet të largohet, pasi që është simbol i masakrës së Gjilanit pas luftës së asaj kohe ku u masakruan rreth 8 mijë e 700 njerëz.

Protesta u organizua nga Kartoni i Kuq dhe Organizata kulturore “Varg e vijë”.

Ndryshe, në vend të kësaj përmendoreje, komuna ka vendosur që ta sjellë atë të heroit Idriz Seferit.