Në Çabiq të Klinës përurohet Kompleksi Memorial kushtuar Mujë Krasniqit

Në Çabiq të Klinës përurohet Kompleksi Memorial kushtuar Mujë Krasniqit

04 nëntor 2017 17:35

Në përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, sot në fshatin Çabiq të Klinës, është mbajtur një manifestim ku është bërë përurimi i Kompleksit Memorial “Monumenti i Lirisë”, kushtuar komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqi – Kapuçi, në të cilën kanë marrë pjesë bashkëluftëtar të Mujës dhe qytetarë të shumtë nga Klina dhe vende tjera.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se monumenti është ndërtuar pikërisht në vendin ku Muja gjatë luftës ka përgatitur dhe projektuar sulmet kundër forcave serbe, transmeton Koha.net.

“Sot jemi në një vend ku komandant Mujë Krasniqi, mobilizoi, takoi, udhëzoi shumë bashkëluftëtar të kësaj treve. Jemi në këtë vend ku jemi takuar me dhjetëra herë gjatë luftës së UÇK-së bashkë me komandantin”, ka thënë Bashota, i cili falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë idenë për ndërtimin e këtij memoriali dhe që ndihmuan në realizimin e tij. "Ne po u mësojmë historinë gjeneratave të reja për të mos harruar atë për të cilën janë flijuar shumë, në mesin e tyre edhe heroi i kombit Mujë Krasniqi. Lufta e UÇK-së ishte e shenjtë për të cilën kemi paguar shumë edhe pas luftës ngase disa po mbahen prapa grilave siç është rasti i Sylejman Selimit, mik dhe shok i imi dhe Mujës si dhe shokë të tjerë të cilët padrejtësisht po e paguajnë shtrenjtë angazhimin e tyre në luftën çlirimtare. Sa më shumë që të jemi të bashkuar rreth idealit dhe qëllimit tonë të përbashkët aq më i fortë dhe më i fuqishëm do të jetë imazhi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Në emër të Organizatave të dala nga lufta foli Zeqir Morina sipas të cilit me zbulimin e këtij memoriali nderojmë dhe vlerësojmë gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës. Bedri Gashi, ka folur në emër të Këshillit Organizativ dhe ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në ngritjen e këtij Memoriali. Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së Qendra, kanë dekoruar kryetarin e Komunës së Klinës me mirënjohje për bashkëpunimin e mirëfillte të Komunës së Klinës dhe OVL-ve të UÇK-së. Mirënjohje i është dhënë edhe babait të komandant Mujë Krasniqit, Halil Krasniqit.​

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme