Lekaj u premton ndihmë për infrastrukturë rrugore në Dragash

Lekaj u premton ndihmë për infrastrukturë rrugore në Dragash

03 nëntor 2017 09:38

Dragash, 3 nëntor – Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj gjatë vizitës së realizuar në Komunën e Dragashit ka vlerësuar se investimet në infrastrukturën rrugore të komunës më jugore të vendit janë të domosdoshme për faktin se sjellin dobi për turizmin dhe rrjedhimisht për zhvillimin ekonomik.

Ai ka pohuar se bëhet fjalë për një zonë të trekëndëshit kufitar: Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, ku sipas tij Ministria e Infrastrukturës do t’i përmbush obligimet që i ka marrë përsipër në këtë drejtim. Sipas njoftimit të Zyrës së informimit të MI-së, qëllimi i vizitës së ministrit Lekaj në Komunën e Dragashit ka qenë njohja për së afërmi me gjendjen e infrastrukturës rrugore dhe problemet e tjera, që pengojnë jo vetëm qarkullimin, por sjellin edhe telashe të tjera banorëve të kësaj ane.

Në komunikatë bëhet e ditur se vizita e zyrtarit të lartë qeveritar është jetësuar pas ftesës së deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Adem Hoxha nga Dragashi.

jemi në inspektim të rrugëve në trekëndëshin Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, duke vizituar projektet e Ministrisë së Infrastrukturës, obligime tonat të cilat zotohemi që do t’i përfundojmë në këtë zone, ku me hapjen e korridoreve do të përfitojnë turizmi dhe zhvillimi ekonomik”, ka thënë me këtë rast Lekaj. Ai në të njëjtën kohë ka inkurajuar komunitetin goran që të jetojë në trojet e veta. “Investimi këtu është domosdo, sepse lidhen tri shtete, Kosovë-Shqipëri-Maqedoni, prandaj jemi këtu me deputetin që për së afërmi të njihemi me problemet e qytetarëve dhe të inkurajojmë komunitetin goran që të jetojë në trojet e veta dhe të trajtohen konform kërkesave të tyre”, ka deklaruar Lekaj. Pos kësaj ka dhënë garanci se Ekzekutivi i Kosovës do të trajtojë shqetësimet e të gjithë qytetarëve pa dallime etnike. “Qeveria Haradinaj do të jetë afër zgjidhjes së problemeve të këtyre qytetarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, në veçanti të komuniteteve, në mënyrë që ata të ndjehen ashtu si ju takon në shtetin e Republikës së Kosovës”, është shprehur Lekaj.

Sipas komunikatës së MI-së, gjatë qëndrimit në Komunën e Dragashit, ministri Lekaj me bashkëpunëtorë ka vizituar edhe fshatin Restelicë.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme