Arbëri

Jashari e Lladrovci te varrezat e Jasharajve zotohen për të punuar në të mirë të Drenicës

Dy kryetarët e sapo zgjedhur, Bekim Jashari për komunën e Skenderajt dhe Ramiz Lladrovci i komunës së Drenasit zhvilluan homazhe në Kompleksin e Jasharajve duke vendosur lule pranë varrit të Komandantit legjendar, Adem Jashari.

Kryetari i sapo zgjedhur i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari tha se “për mua është një ditë e veçantë, sepse jam me mikun tim, të babait e axhës tim, që sot jemi kolegë e homologë të dy komunave të Drenicës. Ne do të punojmë drejt dhe pastër me transparencë të plotë e llogaridhënie, ne do të mbajmë qëndrimin tonë dhe do t’ju kthejmë dinjitetin qytetarëve që ata të jenë të kënaqur dhe të mos ndjehen të dëshpëruar për votën dhe besimin e dhënë”, ka thënë Bekim Jashari.

Ndërsa Ramiz Lladrovci tha se “Drenasin dhe Drenicën do të bëjmë me të bukur dhe qendër të zhvillimit ekonomik me krijimin e vendeve të reja të punës”.

“Do të punojmë për të mirën e qytetarëve të dy komunave, mbaj akoma të freskët kujtimin kur Bekimi me pat thënë se duhet punuar në të mirën e qytetarëve, tani unë i them se edhe ky duhet të punojë sa më shumë në shërbim të qytetarëve. Falënderojmë të gjithë qytetarët e Drenasit dhe të Skenderajt që na kanë mbështetur dhe ne së bashku këtë mbështetje do të ju kthejmë në zhvillim ekonomik, investime dhe krijim të vendeve të reja të punës”, ka thënë kryetari Lladrovci duke theksuar se respekti më i madh për dëshmorët sot, është të respektohet ligji, përcjell televizioni publik.