Shkollat e Mitrovicës ende pa ngrohje

Shkollat e Mitrovicës ende pa ngrohje

25 tetor 2017 14:26

Shkollat në Mitrovicë nuk e kanë aktivizuar fare ngrohjen, edhe pse temperaturat kanë rënë dhe bora veç ka zbardhur disa fshatra të kësaj komune.

Fajin për mungesë të ngrohjes ia hedhin Komunës së Mitrovicës, e cila nuk ka sjell lëndë djegëse për këtë vit, edhe pse një gjë e tillë është dashur të ndodhë më 15 tetor.

KosovaPress-i ka vizituar sot disa prej shkollave të kësaj komune, ku situata në klasa nuk ishte e përshtatshme për zhvillimin komod të orës së mësimit.

Përveç nxënësve, pati edhe arsimtarë të cilët u ankuan se klasat dhe korridoret e këtyre shkollave janë të ftohta.

Mungesën e lëndëve djegëse e ka konfirmuar për KosovaPress drejtori i shkollës fillore “Abdullah Shabani” në Mitrovicë, Haki Shyti.

Ai tha se në shkollë është ftohtë, por procesi mësimor nuk është ndërprerë.

“Jemi duke punuar në ambiente të ftohta. Kërkesën e kemi bërë në qershor, por akoma nuk kemi lëndë djegëse. Nuk e di arsyen. Mësimin nuk e kemi ndërprerë dhe jemi duke e zhvilluar disi, por nëse vazhdojnë temperaturat e ftohta, vërtetë nuk e di si do t’ia bëjmë”, ka thënë Shyti.

Edhe koordinatorja e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Mitrovicë, Hafize Musliu, ka konfirmuar mungesën e lëndëve djegëse në këtë shkollë.

Sipas saj, kërkesa është bërë pranë komunës me kohë, por akoma s’janë furnizuar. Ajo tha se nuk i di arsyet e mosfurnizimit me lëndë djegëse.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Komunës së Mitrovicës, Blerina Kastrati, ka bërë të ditur se procedurat janë duke u zhvilluar në prokurim dhe shpejt do të bëhet furnizimi me dru.

Sa i përket furnizimit me thëngjill dhe naftë, shtoi ajo, ky proces tani sa ka filluar në disa shkolla, edhe pse është kërkuar nga kontraktuesit që sa më shpejtë të bëhet shpërndarja e këtyre lëndëve djegëse.

“Sa i përket furnizimit me drunj, procedurat janë duke u zhvilluar në Drejtorinë e Prokurimit, kështu që të gjitha shkollat e komunës sonë shumë shpejtë do të furnizohen me lëndë djegëse”, ka thënë Kastrati.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme