Pronat në Hade të Re kalojnë në administrim të Obiliqit

Pronat në Hade të Re kalojnë në administrim të Obiliqit

24 tetor 2017 16:36

Kryetari në detyrë i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi dhe ministrja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj nënshkruan kontratën administrative e cila mundëson që Komuna e Obiliqit të marrë përsipër administrimin e pronave në Lokacionin "Hade e Re" në fshatin Shkabaj.

“Me këtë kontratë palët pajtohen që t'i vazhdojnë mandatin Komisionit të formuar me Vendimin Nr. 224 të datës 29.09.2017 për regjistrimin dhe vlerësimin e pronave dhe pasurisë për pjesën e mbetur të fshatit Hade.Po ashtu kjo kontratë obligon KEK-un që të ndajë mjetet buxhetore për ndërtimin e infrastrukturës”, ka thënë Gashi, transmeton kp.

Për realizimin e saj obligohen KEK-u dhe Komuna e Obiliqit që të lidhin një marrëveshje të veçantë për zbatimin e infrastrukturës sipas Planit Urban Rregullativ dhe përgjegjësive që rrjedhin nga Dokumenti "Korniza e Politikave për Zhvendosje për zonën Fusha e Mihjes së Re të Republikës së Kosovës".

Me këtë kontratë do të mundësohet që të përshpejtohen procedurat e rregullimit të infrastrukturës bazë dhe të lehtësohet procesi i zhvendosjes së banorëve nga fshatrat Hade dhe Shipitullë.

“Pritjes së banorëve të këtyre fshatrave po u vjen fundi”, ka thënë Gashi.

Në fund të takimit, kryetari, Xhafer Gashi e ftoi ministren, Albena Reshitaj për një vizitë në komunën e Obiliqit që të njoftohet nga afër më gjendjen ambientale dhe të vizitohen fshatrat Shipitullë e Hade si dhe lokacioni "Hade e Re" në fshatin Shkabaj.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme