Gjykata obligon Komunën e Suharekës të shlyejë 500 mijë euro borxh të viteve 2010-13

20 tetor 2017 19:46

Më shumë se 500 mijë euro borxhe e dënime, Komuna e Suharekës obligohet t’ua paguajë kompanive që kanë kryer shërbime më herët.

Janë rreth 30 kompani të cilat kanë kryer shërbime komunale gjatë vitit 2010 deri në vitin 2013, mirëpo nuk janë paguar nga Komuna e Suharekës. Si rrjedhojë, pronarët e këtyre kompanive kanë ushtruar padi ndaj kësaj komune.

Gjykata ka marrë vendim që e obligon komunën t’i kryejë obligimet ndaj kompanive.

Me gjithë këto borxhe, buxheti i kësaj komune do të rrezikohet, por kryetari Salih Asllanaj thotë se këto kompani kanë punuar pa kontrata.

Asllanaj thotë se do të respektojnë çdo vendim të Gjykatës.

E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka qeverisur me Komunën e Suharekës gjatë vitit 2010-2013, mohon të ketë pasur raste të tilla.

“Prej ardhjes në pushtet të Sali Asllanajt e deri sot, asnjë palë nuk ka fituar asnjë kontest ndaj Komunës për kohën sa ka qeverisur AAK-ja, gjë që ka ndodhur e kundërta me qeverisjen e tyre. Në shumë kontekste komuna ka dalë humbëse duke pranuar personel pa konkurs. Kjo është vetëm propagandë, pa asnjë dëshmi që thekson në ndonjë gjykatë se ka procedurë gjyqësore rreth këtyre rasteve. 4 vjet rresht është propaganda e njëjtë e Sali Asllanajt pa asnjë dëshmi që vërtetohet në dokumente gjyqësore. Kompanitë duhet të tregojnë me dëshmi të dokumentuara, por këto s’i ka as Sali Asllanaj e askush tjetër”.

Në periudhën për të cilën kompanitë thonë se nuk janë paguar për punën që kanë bërë kryetar i Suharekës ka qenë Blerim Kuçi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme