Arbëri

Tryezë e QKSS-së për rrezikun nga dy estremizmet në Mitrovicë

Descriptive Text

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizoi tryezën e rrumbullakët mbi implementimin e “Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit në Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm 2015-2020” ku u diskutua për parandalimin e ekstremizmit politik dhe atij religjioz në Komunën e Mitrovicës, njofton kumtesa nga QKSS, transmeton Koha.net.

Ky aktivitet mblodhi përfaqësues nga niveli lokal i Mitrovicës Jugore dhe Veriore, përfshirë zyrtarë nga Policia e Kosovës, përfaqësues komunalë, shoqëri civile, të medieve dhe të misioneve ndërkombëtare.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të diskutohet mbi angazhimin e deri tanishëm të nivelit lokal, shoqërisë civile dhe akterove tjerë në Mitrovicë rreth parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm në këtë komunë dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët e të dyja komuniteteve në Mitrovicë. Diskutimi pati theks të veçantë në temat si: bashkëpunimi i akterëve shtetërorë dhe jo shtetërorë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm; faktorët socio-ekonomik si element kyç në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm; të arriturat dhe sfidat në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm në Komunën e Mitrovicës; bashkëpunimi i pjesës Jugore dhe asaj Veriore në shërbim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm; Nevoja për bashkëpunim më të madh me organizatat e shoqërisë civile të komunitetit serb, etj.

Në hapje të tryezës .kender Perteshi, Hulumtues dhe Koordiantor i Programit te Deradikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm në QKSS, prezantoi punën e QKSS-së në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe në hartimin e Strategjisë Nacionale si dhe tregoi gatishmërinë për bashkëpunim me nivelin lokal për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Hulumtuesi i lartë dhe Sekretari i QKSS Mentor Vrajolli shpjegoi qëllimin e projektit tre-vjeçar “Mbështetje e Mëtutjeshme e Institucioneve të Kosovës në Luftimin e Krimit të Organizuar, Korrupsionit dhe Ekstremizmit të dhunshëm. Me këtë rast u shpjegua se ekstremizmi i dhunshëm duhet të shihet nga këndvështrime të ndryshme, si ato qe kanë burime në keqpërdorje të religjionit, urrejtjen ndëretnike apo atë politike.

Përfaqësuesi nga Mitrovica Jugore, Besim Beka, tregoi rreth të arriturave dhe sfidave të komunës në raport me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm dhe theksoi nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm të të gjithë akterëve.

Veroljub Petronic nga Mitrovica Veriore vlerësoi se është e nevojshme që komuniteti serb të përfshihet në monitorimin e zbatimit të Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit në Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm 2015-2020. Ai theksoi se OJQ-të që veprojnë në veri të vendit duhet të jenë të përfshira në më shumë aktivitete, sidomos ato të nivelit lokal për shkak se kanë kapacitet të mjaftueshëm për të kontribuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në nivelin lokal.

Në pjesën e fundit të këtij eventit diskutimet u orientuan tek nevojat e dialogut ndëretnik. U potencua fakti se ndonëse ekziston vullneti i ndërsjellë qytetar që ky dialog të zhvillohet për tema të ndryshme, përfshirë atë që ka të bëjë me dialogun Kosovë-Serbi, krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe e gjithashtu edhe për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në këtë rast edhe u apelua tek institucionet e ndryshme që krahas fokusit në ektremizmin e dhunshëm momental i cili ka marrë përmasa botërore, të mbështetin edhe iniciativa të ndryshme qytetare që kanë për synim ngritjen e dialogut ndërqytetar në Kosovë me qëllim të shmangies së përshkallëzimit të ekstremizmit të dhunshëm me baza etnike. Kjo duke ditur faktin që Kosova edhe më tutje bën pjesë në shoqëri e cila ka dalë nga një konflikt.