Arbëri

Në Mitrovicë u shënua “Java e njeriut me shkop të bardhë”

Edhe në Mitrovicë është shënuar aktiviteti ndërkombëtar “Java e njeriut me shkop të bardhë”, organizuar nga udhëheqësi i Njësisë për të Drejtat e Njeriut në komunën e Mitrovicës, Fitim Rama, në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Komunës së Mitrovicës.

Fitim Rama, pasi përshëndeti pjesëmarrësit e takimit, tha se komuna e Mitrovicës po tregon kujdes të shtuar për këta persona, por edhe për kategori të tjera të qytetarëve me aftësi të kufizuara, duke i mbështetur edhe materialisht në realizmin e projekteve të tyre.

Kryetari Shoqatës rajonale të të verbërve të Mitrovicës, Skender Kerolli, tha se shoqata që ai e drejton zhvillon aktivitete të ndryshme, me mbështetje të komunës, institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare, me qëllim që anëtarësia të takohet dhe të diskutojë për problemet dhe të propozojë aktivitete për tejkalimin e tyre.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Mexhit Foniqi , u fokusua në përpjekjet që shoqata po bënë për përmirësimin e gjendjes të këtyre e personave dhe krijimin e kushteve për veprimtarinë e tyre. Po ashtu, ai tha se janë duke u bërë përpjekje maksimale për përmirësimin e kushteve të punës të shoqatave dhe anëtarësisë, si dhe realizmin e të drejtave të tyre ligjore të garantuara.

Shoqata e të Verbërve ndau mirënjohje për Zyrën e informimit, Zyrën e Njësisë për të Drejtat e Njeriut, për Shkollën Speciale në Pejë, Zyrës Rajonale të Punësimit në Mitrovicë , si dhe për organizatën daneze DRC në Mitrovicë.